Zbardhet propozimi i PS për Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale dhe të Qeverisjes Vendore

Zbardhet propozimi i Partisë Socialiste drejtuar Kuvendt të Shqipërisë për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e ndarjes territoriale dhe funksionimit të njësive të qeverisjes vendore në vend.

Ky komision do të përbëhet nga 17 anëtarë, përfaqësues të forcave politike në Kuvend, ku shumicën e përbën Partia Socialiste me 9 anëtarë, pasuar nga Partia Demokratike me 6 anëtarë, Aleanca për Ndryshim dhe Partia e Lirisë me nga 1 përfaqësues. Kryetari do të jetë nga shumica parlamentare, ndërsa zëvendëskryetari nga opozita.

Komisioni do të ketë një mandat 9-mujor, me mundësi zgjatjeje nëse do të kërkohet nga kryetari dhe do të miratohet nga Kuvendi.

Komisioni do të ketë një rol të rëndësishëm në:

Analizimin e ndarjes territoriale dhe kapaciteteve të bashkive;

Vlerësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore;

Hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e shërbimeve publike dhe financave vendore;

Sigurimin e përputhshmërisë me standardet e Bashkimit Europian dhe politikat e kohezionit rajonal.

Gjithashtu, do të krijohet edhe një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, që do të ndihmojnë punën e komisionit me analizë, konsulencë dhe propozime konkrete. Pjesë e procesit do të jenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave të pushtetit vendor, botës akademike dhe institucioneve shtetërore.

PROJEKTVENDIM

PËR NGRITJEN E KOMISIONIT TË POSAÇËM PËR REFORMËN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 77, pika 1, dhe 78, pika 1, të Kushtetutës dhe të neneve 24 dhe 55, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

  1. Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
  2. Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij:
  3. a) të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore;
  4. b) të analizojë dhe propozojë opsione për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;
  5. c) të analizojë sistemin aktual të financave vendore dhe të rekomandojë masa për shëndoshjen financiare dhe rritjen e qëndrueshmërisë së njësive të vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë forcimin e decentralizimit fiskal, rritjen e të ardhurave vendore, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar;

ç) të shqyrtojë cilësinë dhe aksesin e shërbimeve publike vendore;

  1. d) të sigurojë përputhshmërinë e propozimeve me acquis të Bashkimit Europian dhe politikat e kohezionit rajonal;
  2. dh) të zhvillojë proces konsultimi tërësor, gjithëpërfshirës dhe transparent me njësitë e qeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë;
  3. e) të paraqesë përpara Kuvendit dokument analitik me rekomandime për hapat e mëtejshëm dhe projekt-propozime ligjore.

III. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.

  1. Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.
  2. Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 9-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit.
  3. Pranë Komisionit të Posaçëm ngrihet dhe funksionon grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar me përfaqësues të propozuar nga institucionet qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, shoqatat e vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medies, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj, që do të mbështeten nga Sekretariati Teknik. Numri, afatet e punës dhe detyrat specifike të grupit të ekspertëve përcaktohen më vendim të komisionit.

VII.           Komisioni i Posaçëm, në veprimtarinë e tij, do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Ministrin e Financave, Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, dhe Ministrin e Shtetit Kryenegociator, si dhe me përfaqësues të qeverisjes vendore dhe të shoqatave të zgjedhura vendore.

VIII.          Çdo parti tjetër parlamentare, e cila nuk është e përfshirë në këtë komision, ka të drejtë të bëjë propozime.

  1. Komisioni i Posaçëm, për realizimin e objektit të tij të përcaktuar si më sipër, në bashkëpunim edhe me grupin e ekspertëve, do të organizojë:
  • Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me:
  1. institucionet e qeverisjes qendrore dhe vetë qeverisjes vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë;
  2. institucionet e sistemit të drejtësisë;
  • institucionet kushtetuese të pavarura dhe institucionet publike të krijuara nga Kuvendi.
  1. agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre çështje që prekin interesat e pushtetit vendor, në përputhje me legjislacionin përkatës;
  2. ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse;
  3. përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit;
  • pedagogë e studentë;
  • përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit, etj.;
  • Mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve dhe të dhënave të nevojshme nga struktura të ndryshme shtetërore në funksion të përmbushjes së objektit të tij;
  • Përfshirjen në këtë proces të opinionit publik dhe veçanërisht të pakicave kombëtare dhe përfaqësuesve të tyre.
  1. Prezenca e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, si dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, me përvojë në çështjet e qeverisjes vendore, ftohen të ndjekin, të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e komisionit dhe grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij.
  2. Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Komisioni synon që vendimmarrja të arrihet me konsensus për të gjitha çështjet që shqyrton. Në mungesë të konsensusit, vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Komisionit.
  3. Ngarkohen Byroja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës, mbështetjen financiare e logjistike të veprimtarisë së këtij Komisioni të Posaçëm, grupit të ekspertëve dhe sekretariatit teknik.