Zbardhet pas 7 vitesh vrasja e Antonio Karafilit, lëshohet urdhër-arresti për ish të dashurën e viktimës

Është zbuluar pas 7 vitesh hetime vrasja e Antonio Karafilit në Voskopojë të Korçës. Ngjarja e rëndë ndodhi në 14 Qershor të 2018-ës ku në pyllin e Voskopojës u gjet i varur në një pemë 18-vjeçari Karafili. 

Hetimet e Prokurorisë zbuluan se në këtë krim është përfshirë ish e dashura e Antonio Karafilit, Kejsi Spahillari dhe Rexhep Vathi, me të cilin e reja kishte një lidhje paralele.

Kjo ngjarje fillimisht u regjistrua dhe u hetua si vetëvrasje ndërsa familjarët e të riut kanë këmbëngulur vazhdimisht se djali i tyre është vrarë.

Nga indiciet dhe provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari kanë mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen e të riut. Motivi i krimit dyshohet të jetë lidhja paralele që Kejsi Spahillari kishte me viktimën dhe me Rexhep Vathin. Ky i fundit i dha fund jetës në gusht të 2024-ës.

Kejsi Spaillari është zbuluar nga një gjurmë biologjike ADN, që është gjendur në çarçafin me të cilin ishte lidhur në qafë, Antonio Karafili. E njëjta provë është siguruar dhe për autorin tjetër, Rexhep Vathin.

Kejsi Spahillari raportohet se është larguar nga vendi dhe aktualisht ndodhet në Kanada. Ndërkohë Prokuroria e Korçës ka nxjerrë urdhrin e arrestit për Spahillarin, ndërsa gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë” për akuzën e “vrasjes me dashje në bashkëpunim”.