Zbardhen emrat, këta janë 5 deputetët e opozitës që shkaktuan kaos në Kuvend, socialistët kërkojnë përjashtimin e tyre

Janë zbardhur emrat e 5 deputetëve për të cilët Partia Socialiste ka kërkuar përjashtim në Komisionin e Etikës.

Flamur Noka, Bledion Nallbati, Gazment Bardhi, Albana Vokshi dhe Sorina Koti akuzohen nga mazhoranca si shkaktarë për kaosin në Kuvend, ku u ndezën tymuese dhe nuk u lejua zhvillimi normal i diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2024.

Seanca e fundit plenare u mbyll pas më pak se 5 minutash, por kjo kohë i mjaftoi deputetëve të mazhorancës të ngrinin kartonat jeshilë për të miratuar në parim buxhetin e vitit 2024.

Nëse Komisioni i Etikës do t’i përjashtojë për 10 ditë, ky përjashtim nuk do të kishte asnjë rëndësi, pasi seanca e radhës është programuar të zhvillohet në 7 dhjetor, ndaj deputetët do të kishin sërish mundësi të shkonin në Kuvend.