EMRI/ Vritet me armë zjarri 48 vjeçari në Tiranë, viktima gjendet i pajetë në makinë

Tirana është tronditur sërish për shkak të një vrasje që është regjistruar në orët e fundit. Një 48 vjeçar, i identifikuar si Lulzim Visha është gjetur i pajetë brenda një makine mëngjesin e sotëm rreth orës 07:40 në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës. Sic njofton policia, 48 vjeçari dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Paraprakisht lidhur me motivet e krimit ka dyshime për një hasmëri të mundshme mes viktimës Lulzim Visha dhe personave të tjerë. Para disa viteve, vëllai i Lulzim Vishës ka vrarë një tjetër person.

Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

“Më datë 24.01.2025, rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, është konstatuar pa shenja jete, brenda një automjeti, shtetasi L. V., 48 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar i vrarë me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Në vijim, do të keni një informacion me të detajuar për rastin”- njofton policia.