Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka ulur dënimin për Lek Vuksanin, i akuzuar për vrasjen e kushëririt te tij Petrit Vuksani pas një sherri për qiranë e banesës, ngjarje kjo e ndodhur në Shkodër më 2 maj të vitit 2023.
Shkalla e Parë në Shkodër dënoi fillimisht autorin me 21 vite burg, ndërsa pas gjykimit të shkurtuar kjo masë u reduktua në 14 vite.
Ndërkohë, pas dërgimit të çështjes në apel nga i pandehuri, ditën e djeshme u mor vendimi që Lek Vuksanin ti ulet dënimi i përgjithshëm në 19 vite burg për të dy veprat penale dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet në 12 vite burg.
“Në përfundim të gjykimit, më datë 24.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Marsela Pepi dhe anëtar z. Fatri Islamaj dhe znj. Edlira Petri, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 744 (1667), datë 03.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për sa i përket kualifikimit ligjor dhe masës së dënimit të caktuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
Ndryshimin e vendimit nr. 744 (1667), datë 03.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për pjesën tjetër si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandehurit L. V për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal bashkimin e dënimeve dhe dënimin e të pandehurit L. V me 19 (nëntëmbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale zbritet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vjet dhe 8 (tetë) muaj burgim.”- thuhet në vendim.