Vrau Ardian Nikulajn, Gjykata e Lezhës dërgon për gjykim portugezin Ruben Saraiva

Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka dërguar për gjykim portugezin, Ruben Saraiva, i cili akuzohet si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

Vendimi u mor nga gjyqtari Renis Sheshi dhe portugezi do të përballet tashmë në gjykatë për veprat penale të vrasjes me dashje për interes dhe armëmbajtje pa leje.

Saraiva u arrestua disa muaj pas krimit sapo mbërriti në Marok, ku jetonin familjarët e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në biznesin e Nikulajt në prill të vitit 2023, ku autori u fut në lokalin në pronësi të tij dhe e qëlloi për vdekje.

Krimi u zbardh pas disa muajsh ndërsa dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje. Organizator i vrasjes ishte Edmond Haxhia, i cili e kreu krimin bashkë me 4 britanikë të tjerë, të cilët nuk janë ekstraduar ende në vendin tonë për t’u përballur me drejtësinë.