Vrasja në Pogradec e mbuluar nga skandalet, autori mund t’ia hedhë me 5 vite burg

Ngjarja që ndodhi në qytetin e Pogradecit më datë 10 gusht ku 42 vjeçari Egli Proga u dhunua barbarisht derisa humbi jetën ka tronditur mbarë opinionin publik.

Fillimisht kjo ngjarje u raportua si aksidentale, por një ditë më pas do të zbulohej se ishte një vrasje ku të përfshirë ishin 4 persona, Denis Meçe i cili është personi që e ka dhunuar, si edhe tre të tjerë, të cilët sot Gjykata e Korçës u caktoi masën detyrim paraqitje, edhe pse penguan që të zbardhej e vërteta.

Bëhet fjalë për shtetasit Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.

Ndërkohë Meçe, akuzohet për vrasje nga pakujdesia. Por a ishte vertëtë një vrasje nga pakujdesia?

Burime për mediat bëjnë me dije se Egli Progës iu vendos një “gjobë” nga Denis Meçe, duke i kërkuar xhiron ditore të lokalit. Por kur viktima refuzoi që ta paguante, Meçe e dhunoi për të paktën 40 minuta 42 vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të rënda që do t’i merrnin jetën.

Në media raportohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur në sytë e një polici, i cili jo vetëm që nuk parandaloi krimin, por nuk kallëzoi, duke e fshehur dhe duke u bere bashkepunetor.

Por i rëndë është fakti që rrahja brutale që Denis Meçe i ka bërë Egli Progës dhe ka shkaktuar vdekjen e këtij të fundit, nga prokurori i çështjes është cilësuar si vrasje nga pakujdesia.

Prokuroria ka ngritur këtë akuzë ndaj Meçes, që parashikon dënimin me gjobe ose me burgim deri në 5 vite burg. Kaq pak për një vrasje, ku një qytetari, bashkëshorti, babait të dy fëmijëve i është marrë jeta në mënyrë mizore.

Edhe pse në njoftimin zyrtar të policisë së Korçës Denis Meçe është arrestuar nën akuzën e ‘vrasjes me dashje’, organi i akuzës ka vlerësuar se nga hetimet e deritanishme vepra klasifikohet si ‘vrasje nga pakujdesia’, duke lehtësuar pozitat e vrasësit, që me akuzën e parë mund të dënohet deri në 20 vite burg.

Familja e të ndjerit, e sidomos motra e tij Jonida ka hedhur akuza të forta ndaj policisë, se fshehu ngjarjen duke e raportuar si aksidentale. Ajo tha se në fillim policia i ka thënë se ai është rrëzuar, ndërsa në të vërtetë dallohej që ishte dhunuar.

Po ashtu motra e 42-vjeçarit, denoncoi se ambulanca u vonua për gati 30 minuta dhe u bë shumë vonë për të shpëtuar vëllain e saj.

Kujtojmë se fillimisht u raportua se 42-vjeçari në gjendje të dehur ishte rrëzuar në rrugë dhe nuk i kishte mbijetuar dot plagëve të marra. Por, pas hetimeve, u zbulua se ishte dhunuar nga i riu, Denis Meçe.

Për ngjarjen, përveç opinionit publik pati edhe një reagim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili urdhëroi që të hetohej policia e Pogradecit, nëse ka vepruar siç duhet.

Edhe Avokati i Popullit reagoi pasditen e 12 gushtit, duke njoftuar se kishte nisur verifikimet për veprimet e organeve kompetente.

Familja e Egli Progës, e mbytur në dhimbje për humbjen e tij, sot përjetoi edhe një tronditje tjetër. Personi që iu vrau djalin mund ta denojne deri ne 5 vite burg ndërsa tre të tjerët u lanë të lirë.

Egli Proga, baba i dy fëmijëve të mitur, njihej nga komuniteti si qytetar i rregullt e i qetë pa konflikte me persona problematikë.