Vrasja e Shkëlzen Kastratit tre vite më parë në Fier, Apeli ul dënimin për “të fortin e Niklës”

Gjykata e Apelit ka ulur me dy vite dënimin për Albert Zajën, i akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur më 1 shkurt të vitit 2021.

Zaja dënohet përfundimisht me 12 vite e 8 muaj burg, duke përfituar nga gjykimi i shkrurtuar.

Gjykata e Fierit e kishte dënuar Albert Zajën me 21 vite burg. Nga gjykimi i shkurtuar ai përfitonte uljen e dënimit me 1/3, duke u dënuar me 14 vite burg

Ndërkohë Apeli e ka dënuar me 19 vite dhe nga gjykimi i shkurtuar i ulet në 12.8 vite burg.

Shkëlzen Kastrati, u ekzekutua 3 vite më përpara pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier. Teksa po lëvizte me makinë, ai u qëllua nga një mjet tip “Range Rover”, që pas vrasjes u gjet e djegur te Mbikalimi i Baltzës.

Shkëlzen Kastrati u qëllua dy plumba, një në kokë që ka rezultuar vdekjeprurëse dhe një tjetër në krah. Sa i takon Albert Zajës, ai u arrestua nga RENEA më 21 mars 2021 në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. 

Gjatë gjithë hetimit, Zaja nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka mohuar gjithë kohës se ka marrë pjesë në vrasjen e biznesmenit.