Vrasja e paralajmëruar/ Dy familjet në Has konflikt për pronën prej 10 vitesh, motra e viktimës dhunoi prindërit e autorit një ditë më parë

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me vrasjen e regjistruar sot në fshatin Pla të Hasit, ku Ylber Jaku ekzekutoi me armë zjarri 34 vjeçarin Ryshyt Sallahu.

Mësohet se dy familjet janë prej 10 vitesh në një konflikt pronësie. Familja Jaku raportohet se ka bërë mbi 20 kallëzime në polici lidhur me konfliktin që kanë pasur me familjen Sallahu.

Kallëzimet janë bere nga babai i autorit, i cili u kërkonte institucioneve zgjidhjen e konfliktit.

Ndërkohë një ditë më parë, pjesëtarë të familjes Sallahu dhunuan babanë dhe nënën e autorit, të cilët ndodhen në spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore.

Ishte 21 vjeçarja Artiola Sallahu, motra e viktimës, e cila qëlloi me sëpatë çiftin Jaku. Sot, 41-vjeçari Ylber Jaku ka marrë armën dhe ka vrarë 34-vjeçarin në shenjë hakmarrjeje për dhunën ndaj prindërve të tij.

“Rreth orës 16: 40, është marrë njoftim se në fshatin Tpla, shtetasi Y. J., 41 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. S., 34 vjeç, dyshohet për motive pronësie. Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet Policisë, si dhe në mbështetje të Policisë lokale shkuan Forcat e Posaçme Shqiponja të DVP Kukës. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u bë kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit e dyshuar e përdorur nga autori. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njofton policia për ngjarjen.