Vrasja e Martin Canit/ Mario Përlleshaj mohon se ka qëlluar drejt viktimës, në gjyq dëshmojnë 5 të mitur

Është mbajtur sot seanca në lidhje me vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj.

Në seancën me dyer të mbyllura dëshmuan 5 të mitur në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen tragjike që tronditi kryeqytetit disa muaj më parë.

Mes tyre ishte edhe i mituri K.B, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin e krimit dhe për të cilin familjarët e viktimës kanë shprehur më parë pretendime.

Gjatë seancës gjyqësore, Përlleshaj ka mohuar që të ketë qëlluar ne drejtim të Canit, duke u shprehur se synimi ka qenë shoku i viktimës, Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur.

Në seancën e ardhshme, që pritet të zhvillohet në ditët në vijim, janë thirrur për të dëshmuar edhe shtatë persona të tjerë, katër prej të cilëve janë të mitur, sërish në cilësinë e personave me dijeni për ngjarjen.

Dëshmia e të miturve pritet me interes të lartë për ngjarjen kriminale që ndodhi në Nëntor të vitit të kaluar në afërsi të shkollës Fan Noli.