Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar lidhur me vrasjen e gjytarit Astrit Kalaja një ditë më parë, ndërsa ka bërë publike edhe shkresën drejtuar Ministrisë së Brendshme për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore.
KLGJ informon se, në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
Në zbatim të pikës 2 të VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtëtërore në varësi të Ministrisë së Mbrendshme.
Duke vlerësuar se gjykatat janë objekte të një rëndësie të veçantë, Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut.
Përmes një shkrese që mban datën 02.11.2023, KLGJ i është drejtuar me një shkresë Policisë së Shtetit dhe për dijeni Ministrisë së Brendshme duke kërkuar shtimin e punonjësve të Policisë në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.
Por Policia e Shtetit, në përgjigjen e kthyer ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.
Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën nr. 5489/3 Prot., datë 15.12.2023, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente:
“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike.”
Por Ministria e Brendshme nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë kërkesë.
Kujtojmë se një ditë më parë, në reagimin e saj, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu tha se Policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave.