Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Ministri i Drejtësisë akuzon opozitën: Ju e keni fajin se i keni ofenduar gjyqtarët e prokurorët

Pas tronditjes që mori në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku mori lajmin se do të bëhej Ministër i Drejtësisë, Besfort Lamallari duket se e ka mbledhur veten dhe ka folur sot në Kuvend për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ai ka akuzuar opozitën se gjuha denigruese e tyre ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve ka sjellë urrejtje ndaj drejtësisë, ndaj ka ndodhur edhe një ngjarje e tillë.

Ndoshta nga tronditja e pësuar në Asamble, ministri Lamallari duket t’i ketë harruar linçimet publike të kryeministrit Rama ndaj disa gjyqtarëve, që kreu i qeverisë i nxori me emra dhe i akuzoi se kishin marrë vendime kundër interesave të tij.

“Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragjik, është e rëndë. Keni përgjegjësi për gjithë gjuhën denigruese që keni përdorur ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Nga daljet në ballkon që keni dale e keni telendisur ndaj SKRAPIT e të tjera, me gjuhën që keni përdorur dhe gjuha e urretjes që keni ngjallur ndaj gjyqësorit. Sigurisht që do ndodhin gjëra të tilla. Ju nuk kemi lënë nga Prokurorja e Përgjithshme, keni anatemuar partnerët strategjikë, ambasadorin e SHBA dhe BE vetëm se mbështesin Reformën në Drejtësi. Ju keni gojë të flisni, s’keni turp. Mos linçoni prokurorë, mos ngjallni gjuhën e urrejtjes”, tha ministri Lamallari.