Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, policia arreston edhe Gjon Shkambin, xhaxhanë e autorit

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në Gjykatën e Apelit, ku u ekzekutua me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, policia ka vënë në pranga edhe Gjon Shkambin, xhaxhanë e autorit të vrasjes Elvis Shkambi.

Gjon Shkambi ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit në momentin kur nipi i tij ka qëlluar drejt gjyqtarit dhe ndaj palës kundërshtare në gjyq, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj. 

Ekzekutimi i gjyqtarit duket se ka qenë vepër e mirëmenduar nga autori, i cili ka pritur deri në përfundim të procesit gjyqësor dhe më pas ka hapur zjarr ndaj gjyqtarit dhe dy personave të tjerë, ndërkohë që xhaxhai i tij Gjon Shkëmbi dyshohet se mund të ketë patur dijeni në lidhje me planin e nipit të tij.

Për ngjarjen e rëndë është arrestuar edhe punonjësi i sigurisë së Gjykatës së Apelit, pasi konsiderohet si përgjegjës për skanerin e sigurisë në hyrjen e institucionit të drejtësisë, ku autori Elvis Shkambi arriti që të futej me armë në Gjykatë.