Vrasja e 42 vjeçarit në Pogradec, Avokati i Popullit nis verifikim mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente

Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar në Pogradec, pasi u zbulua se 42 vjeçari Egli Proga nuk vdiq për arsye se ishte rrëzuar, por pasi u dhunua nga 29 vjeçari Denis Meçi, tashmë i arrestuar.

Avokati i Popullit njofton se ka nisur një verifikim të plotë mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente në këtë çështje.

Ky verifikim do të synojë të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes, përfshirë edhe pretendimet për moszbardhjen e drejtë të situatës.

Kujtojmë se motra e viktimës, në një deklaratë të dhënë për mediat, hodhi akuza në drejtim të policisë, duke thënë se fsheu ngjarjen, teksa kërkoi një hetim të plotë.

Reagimi:

Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku një qytetar humbi jetën në rrethana të dyshimta.

Në veçanti, Avokati i Popullit shpreh shqetësim për pretendimet e ngritura nga familjarët e viktimës dhe një pjesë e opinionit publik në Pogradec, lidhur me mundësinë e fshehjes apo manipulimit të ngjarjes nga strukturat e policisë lokale.

Avokati i Popullit, si institucion i pavarur kushtetues, jo vetëm ka për detyrë të mbrojë të drejtat e njeriut por edhe të garantojë transparencë dhe drejtësi në çdo rast ku mund të jenë shkelur këto të drejta.

Përsa më sipër Avokati i Popullit njofton se ka nisur një verifikim të plotë mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente në këtë çështje.

Ky verifikim do të synojë të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes, përfshirë edhe pretendimet për moszbardhjen e drejtë të situatës.