Vranë me thikë 19-vjeçarin në Fier, prokuroria kërkon arrest me burg për 2 autorët

Prokuroria e Fierit kërkon arrest me burg për dy autorët e vrasjes së 19-vjeçarit Grei Bihuci 3 ditë më parë. Florian dhe Klajdi Muka akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe për prodhim, blerje apo shitje të armëve të ftohta.

“Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 11.03.2024 çështjen penale nr. 382, për veprat penale “Vrasje  me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi  mbajtja blerja apo shitja pa leje e armëve te ftohta”, parashikuar nga nenet 78/1- 25 dhe 279/2 të K.Penal, në ngarkim të shtetasve F.M dhe K.M.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetasve F.M dhe K.M”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Fier.

Prokuroria e Fierit ka bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në qendër të Fierit dhe  “shpreh angazhimin e plotë për një hetim të plotë dhe gjithanshëm të kësaj ngjarjeje, me qëllim hetimin e thelluar të motivit, shkaqeve apo përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje të rëndë”.

Ngjarja ndodhi 3 ditë më parë rreth orës 11;30 në qendër të Fierit ku autorët Florian dhe Klajdi Muka në bashkëpunim me njëri-tjetrin, goditën me thikë 19-vjeçarin,  i cili humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.