Votimi elektronik/ PS fiton edhe në Njësinë Nr.10, Agron Shehaj merr 6.4 % të votave

Pas Vorës është publikuar edhe rezultati i votimit elektronik në Njësinë Nr.10 në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ, PS ka marrë 5304 vota ndërsa PD 3498 vota. Subjekti politik i tretë renditet “Mundësia’’ e Agron Shehaj ku ka marrë 694 vota, ndërsa Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit ka marrë 397 vota.

Sa i takon votës preferenciale në këtë njësi, të majtët kanë preferuar ish ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili ka marrë 1722 vota preferenciale, i ndjekur nga Erion Braçe që ka marrë 624 vota preferenciale.

Sa i përket PD, më i votuari është Ilir Alimehmeti që ka marrë 848 vota, i ndjekur nga Jorida Tabaku me 590 vota.

Rezultati në Vorë dhe në Njësinë Nr.10 pritej që të shpallej më herët, por nuk dihen arsyet se përse u vonua deri në mesditë.

Më herët u publikua rezultati i votimit elektronik në Vorë, ku PS fitoi me një diferencë të thellë me PD.

Partia Socialiste ka siguruar 8010 vota ndërsa Partia Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë votën e 4803 qytetarëve.