Skënder Gjinushi është rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar.
Në garën për kreun e ASH, Gjinushi ishte kandidat i vetëm, ku mori 51 vota pro dhe vetëm 2 kundër, nga 53 anëtarë gjithsej të Akademisë së Shkencave.
Zgjedhjet e sotme ishin një surprizë, pasi ky institucion nuk kishte njoftuar mediat, ndërkohë që 15 vota kanë ardhur me zarf nga jashtë vendit, për shkak se akademikët nuk ndodheshin në Shqipëri. Gjithashtu votat u administruan nga një komision Ad Hoc dhe jo nga një komision votimi, siç bëhet normalisht. Kjo ngre edhe më shumë dyshimet për rizgjedhjen e Gjinushit, teksa i vetmi që ka qenë kundër kësaj procedure është akademiku Artan Fuga.
Për t’ia bërë më të lehtë mandatin e dytë Gjinushit mendoi edhe mazhoranca pak muaj më parë, që me ndryshimin e projektligjit i siguroi ish-ministrit të Arsimit në regjimin komunist dhe deputetit në disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë, mundësinë e një rikandidimi.