Votat e Greqisë/ PD ankimon vendimin e KAS, çon çështjen në Kolegjin Zgjedhor

Partia Demokratike ka apeluar pranë Kolegjit Zgjedhor vendimin e KAS, i cili hodhi poshtë aktin e Celibashit dhe kërkoi nisjen e numërimit të votave që vinin nga Greqia.

Kryekomisioneri pak ditë më parë vendosi mosnumërimin e votave të Greqisë dhe vijimin e numërimit të zarfeve të tjera të ardhur nga emigrantët nga mbi 80 shtete.

Ndërkohë Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve (KAS) vendosi që çdo votë e ardhur nga emigrantët në shtetin grek do të numërohej, proces i cili vijon ende.

Përmes kësaj shkrese, demokratët kërkojnë lënien në fuqi të vendimit të Ilirjan Celibashit dhe shfuqizimin e vendimit të KAS.

Tashmë do jetë Kolegji Zgjedhor, që do marrë vendim mbi këtë ngërç, i cili padiskutim do krijojë vonesa mbi procesin e numërimit të votave.