Vladimir Putin reagon pas sulmit terrorist në Moskë, numri i viktimave shkon në mbi 140

Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar për herë të parë pas sulmit terrorist në Msokë, ku më shumë se 140 persona mbetën të vdekur nga të shtënat me armë, ndërsa mbi 100 të tjerë u plagosën dhe ndodhen në spital.

Putin shpalli “ditë zie” të dielën, teksa u shpreh se të dyshuarit për sulmin u përpoqën të arratiseshin drejt Ukrainës, por u ndaluan.

“Të gjithë ata që e kanë planifikuar dhe ekzekutuar këtë operacion do të ndëshkohen. Terroristët, vrasësit mund të presin vetëm një gjë, vetëm dënimin. Të gjithë sulmuesit janë gjetur dhe ndaluar. Armiqtë tanë nuk do të na ndajnë”, tha Putin ndër të tjera.

Për sulmin tragjik, një grup i ISIS mori përgjegjësinë ndërsa autorët, tashmë janë arrestuar. Sipas mediave të huaja, ata janë nga Taxhikistani ndërsa dy prej tyre janë arrestuar dhe dy të tjerë janë ende në arrati.

Autoritetet ruse dyshuan fillimisht se pas sulmit mund të fshihej Ukraina, por Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit, Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina nuk përdor metoda terroriste.

Në pamjet e publikuara në media dhe rrjetet sociale, shihet momenti kur 6200 të pranishëm që po ndiqnin një koncert të një grupi të muzikës rrok, alarmohen nga të shtënat me armë dhe tentojnë të largohen për të shpëtuar jetën.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë reagoi pas ngjarjes tragjike duke thënë se e kishin paralajmëruar Rusinë në fillim të marsit për një sulm që mund të synonte “mbledhjet e mëdha” në Moskë.

Ky është sulmi më vdekjeprurës në Rusi për gati 20 vjet. Në vendin e të shtënave, hetuesit punuan gjatë gjithë natës për të mbledhur prova, duke përfshirë armët dhe municionet e braktisura personat e armatosur.