Vjosa Osmani përplaset me kryeministren serbe në OKB: Nuk do të merrni kurrë territor nga Kosova!

Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Kryeministrja Ana Bërnabiç tha se ngjarjet ishin rezultat i “terrorit” ndaj serbëve. Sipas saj, hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.Bërnabiç, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

Sipas Bërnabiç, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës. Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.

Ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi Serbinë dhe tha se ata duan territor të Kosovës “por, nuk do ta marrin kurrë”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se me 24 shtator Kosova “ishte shënjestër e një akti të agresionit të kryer nga Serbia nëpërmjet grupeve terroriste dhe paraushtarake të saj”. Ajo tha se Serbia priste të “të kishte sukses në aneksimin e saj të planifikuar të veriut të Kosovës sipas stilit të Krimesë”.

Presidentja Osmani tha se sërish Serbia provoi të minimizojë “shkallën e këtij kërcënimi të pashembullt të sigurisë dhe aktit të agresionit. Ata gjithashtu duan të shtrembërojnë të gjithë të vërtetën që u shpalos para syve të botës”.

“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.

Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”.

“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.

“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për të zgjedhur dallimet mes nesh”, tha Osmani.