Gazment Bardhi, ka publikuar sot një reagim të fortë ku akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për përfshirje në një skemë të përsëritur korrupsioni, lidhur me koncesionin 60 milionë euro të “Portit të Integruar” në Triport, Vlorë.
Sipas Bardhit, procedura e këtij projekti është zhvilluar sipas të njëjtës skemë që, sipas tij, është përdorur edhe në raste të tjera si Aeroporti i Vlorës apo Tuneli i Llogarasë: paracaktim i fituesit, vendosje kriteresh favorizuese dhe më pas shitje e aksioneve me vlera minimale brenda bashkimit të kompanive.
Bardhi deklaron se pas shpalljes së fituesit, tre prej kompanive që zotëronin shumicën e aksioneve në bashkimin konkurrues, Agbes Construction, Arconstudio dhe Besta, kanë shitur kuotat e tyre te “Premium Construction & Maintenance”, me çmime që ai i cilëson qesharake, deri në 2,500 euro për 25% të aksioneve.
Sipas dokumenteve të cituara prej tij, kompania “Premium Construction & Maintenance”, e cila pas blerjeve është bërë pronare e 92% të projektit, ka kapital fillestar prej vetëm 10 mijë lekësh dhe është themeluar dy muaj para shpalljes së koncesionit. Bardhi pretendon se pronari i saj, Hektor Agalliu, është “një pensionist dhe punëtor i thjeshtë në kompaninë Salillari, pa eksperiencë apo kapacitete të fushës së ndërtimit”.
Postimi i Bardhit:
Edi Rama dhe Belinda Balluku vjedhin. Dhe vjedhin shumë trashë! Kush fshihet pas koncesionit 60 milionë euro në Vlorë?
E njëjta skemë vjedhje në tendera dhe koncesione. Paracaktohet fituesi – preferohet bashkim kompanish. Vendosen kriteret favorizuese. Shpallet fituesi. Pastaj, çuditërisht, 1 ose më shumë kompani nuk duan te fitojnë para dhe shesin aksionet me vlera qesharake tek njëri nga fituesit.
Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Aeroportin e Vlorës. Nuk ka ndodhur vetëm me Tunelin e Llogarasë. Ndodh kudo ku firmos Belinda Balluku. Natyrisht, në emër dhe me porosi të Edi Ramës. Kjo skemë skandaloze e vjedhjes së fondeve publike është verifikuar të ketë ndodhur edhe koncesionin 60 milionë euro të “Portit të Integruar” në Triport Vlorë.
Zyrtarisht, çunat e Belindës kanë shpallur pronar një pensionist, i punësuar nga kompania “Salillari”, por procedura korruptive tregon se dikush tjetër qendron si pronar real pas skemës korruptive. Një skemë në dukje e sofistikuar, por sa të germosh pak, kupton sa trashë vjedhin Edi Rama dhe Belinda Balluku.
Ja cila është skema dhe si është zhvilluar procedura për zhvatjen e 60 milionë euro nga fonde publike:
Në datë 10.08.2021 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli koncensionin: “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “Portit të Integruar” në Triport Vlorë, me vlerë 60 milion euro. Kompanitë që morën pjesë në këtë tender ishin tre, por fituese u shpall oferta e bashkimit të këtyre 5 subjekteve tregtare: Agbes Construction që zotëronte 33% të aksioneve, Besta 30%, Arconstudio 25%, ITE Group 8% dhe Premium Construction & Maintenance 5%.
Sipas ofertës, ky bashkim kompanish do të ndërtonte portin e ri tregtar të Vlorës me paratë e tyre dhe në këmbim qeveria do t’u paguante 60 milionë euro me këste për 7 vjet, menjëherë pas përfundimit të ndërtimit.
Në pak kohë pas fitimit të konvesionit kompanitë Agbes Construction, Arconstudio dhe Besta, i shitën kuotat e tyre tek shoqëria Premium Construction & Maintenance (u bë pronare e 92% të aksioneve), me vlera qesharaka që shkonin deri më 2500 euro për 25% të aksioneve.
Shoqëria koncensionare Premium Construction & Maintenance, rezuton se është një shoqëri me kapital fillestar prej vetëm 10 mijë lekë dhe e themeluar vetëm 2 muaj para shpalljes së tenderit të konçensionit.
Sipas dokumentave zyrtare, pronari i kësaj shoqërie rezulton shtetasi Hektor Agalliu, një pensionist, që është një punëtor i thjeshtë në firmën Salillari.Pra, rrjedhimisht i bie që është një njeri pa eksperiencë në ndërtim, pa staf, pa mjete, pa histori biznesi.
Pra, procedura zbulon skemën skemë e pastër korruptive, me dyshime serioze për pastrim të parave të pista në sektorin publik. Një skemë që duhet të hetohet menjëherë nga SPAK, jo vetëm për të ndëshkuar zyrtarët e korruptuar, por edhe për të zbuluar se kush fshihet vërtetë pas projektit 60 milion euro.