Vizita e Altin Dumanit në SHBA, reagon Departamenti Amerikan i Shtetit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas vizitës në SHBA të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili u takua me zyrtarin e lartë për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike, Brendan P. Hanrahan.

Në një përgjigje, DASH thekson se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë qëllime të përbashkëta në luftën kundër trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt.

‘Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta për ndalimin e trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Shefin e Prokurorisë Speciale (CSP) Dumani për të diskutuar fushat e bashkëpunimit të dobishëm reciprokisht”, thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, raporton Report Tv.

Kfreu i Strukturës së Posaçme, Altin Dumani, zhvilloi vizitë në Departamentin Amerikan të Shtetit tre ditë më parë, ku u prit nga zyrtari i lartë Brendan P. Hanrahan.

Dhjetorin e vitit 2024, Altin Dumani u dekorua nga ish-sekretari Amertikan i Shtetit Antony Blinken, duke e konsideruar kreun e SPAK një “kampion në luftën kundër korrupsionit”.