Vijojnë negociatat, Çuçi tregon hapin e radhës: Kemi rënë dakord me opozitën për ngritjen e një grupi pune për ligjet me 84 vota

Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi ka folur për mediat pas mbarimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku u vendos miratimi i 2 komisioneve hetimore. 

Megjithatë duket se negociatat mes PD dhe PS po vijojnë ende. Kjo pasi Çuçi bëri tha se brenda Komisionit të Ligjeve, do të ngrihet një grup pune apo një nënkomision, i cili do të diskutojë mbi ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash për t’u miratuar dhe që janë pjesë e agjendës së integrimit evropian.

“Ramë dakord dhe morëm një vendim që të mandatojmë Komisionin e Ligjeve për të ngritur një platformë për të krijuar një dialog politik për ligjet që kërkojnë 3/5-t dhe janë pjesë e agjendës së integrimit evropian. Emrat do të miratohen javën tjetër. Ne mandatuam që brenda komisionit të ligjeve një grup pune me numër të barabartë dhe konsensus”, tha ai midis të tjerash.