Vijojnë prej tre ditësh kërkimet për 29 vjeçarin Ardit Beshiri, i cili ishte duke punuar me ekskavator kur një masiv i madh dheu e zuri poshtë në fabrikën e përpunimit të Kromit në Klos.
Kërkimeve u janë bashkuar edhe familjarët e të riut, të cilët i kanë bërë thirrje shtetit që të gjejnë trupin e 29 vjeçarit, i zhdukur që prej mesditës së të shtunës.
Kërkimet janë bërë që nga fundi i rrjedhës së përroit e cila është afër lumit Mat e në drejtim të Qaf Burrelit, ku dhe ndodhet fabrika e përpunimit të kromit.
Ndërkohë sot për të ndjekur nga afër përpjekjet për gjetjen e 29 vjeçarit ka mbërritur edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili tha se operacioni i shumë i vështirë.
“Shprehim ngushëllimet tona për familjen për humbjen e djalit të tyre. Janë angazhuar dhe vijojnë të punojnë intensivisht pothuajse të gjitha strukturat, njësitë e emergjencave civile, të bashkisë, të prefekturës dhe strukturave të tjera qendrore, në drejtimin e ekspertëve. Është një operacion jashtëzakonisht i vështirë, pasi shtrirja e kërkimeve shkon në 4-5 km. Do të vëmë në punë të gjitha kapacitetet deri në gjetjen e të riut”- tha Çako për mediat.