Vetëpastrim i Policisë? A i shpërdoroi Ardi Veliu 3 shanset që i dha Edi Rama?

Dorëheqja e Ardi Veliut si drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nuk ishte një surprizë, pasi prej ditësh në media qarkullonte lajmi se ai do të shkarkohej, sepse emri i tij kishte dalë në përgjimet e dosjes “Metamorfoza”.

Ardi Veliu është një zyrtar që ka ditur t’i shërbejë më së miri qeverisë, ndaj edhe postet që ka mbajtur kanë qenë shumë të rëndësishme. Karriera e tij ka ardhur gjithmonë në ngjitje, sidomos pasi Partia Socialiste mori pushtetin në vitin 2013.

Pikërisht në atë vit, ai u emërua Shef i Komisariatit Durrës, detyrë që e mbajti për 1 vit, pasi më vonë u transferua në kryeqytet me detyrë Zëvendësdrejtor për Sigurinë në Policinë e Tiranës. Një vit do të zgjaste edhe kjo detyrë, pasi Veliu do të emërohej Drejtor i Kolegjit të Policisë në vitin 2015, ndërsa në 2016-ën do të merret postin e Drejtorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Njohja me kryeqytetin do ta bënte atë Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndërkohë që në vitin 2018 ai do të merrte detyrën më të lartë në karrierën e tij, atë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilën do ta mbante për 3 vite.

Gjatë 4 viteve në krye të Policisë së Shtetit, ai ka qenë një nga personat më të akuzuar nga opozita për lidhje me krimin e organizuar. Gjatë detyrës, ai u bë edhe pjesë e një skandali, kur publikoi videon e nënës së një 15 vjeçari të dhunuar nga efektivë policie. Sipas tij, nëna e 15 vjeçarit mbante armë pa leje dhe pamjet i publikonte në rrjetet sociale. Por e vërteta ishte ndryshe, pasi zonja në video ishte pjesë e një filmi, ndaj edhe pistoleta në video ishte lodër.

Akuzat e shumta dhe përfshirja e Policisë së Shtetit në shumë skandale detyruan Ardi Veliun të japë dorëheqjen, teksa në media u publikua edhe letra e tij, ku thoshte se do të largohej për t’iu përkushtuar më shumë familjes. Por nuk vonoi shumë dhe Rama i besoi atij një tjetër post në administratën shtetërore, atë të zv.ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës.

Vetëm pak muaj pas detyrës si zv.ministër, Ardi Veliu do të rikthehej në detyra policore, këtë herë si kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku kishte detyrën të çonte para gjykatës të gjithë efektivët që nuk respektonin ligjin dhe i shërbenin krimit.

Qëndrimi i tij në krye të AMP-së zgjati deri ditën e sotme, ku ai komunikoi largimin e tij. Në reagimin e Ministrisë së Brendshme, thuhet se Ardi Veliu do të vazhdojë punën në një tjetër detyrë shtetërore, por lajmet se emri i tij gjendet në dosjen “Metamorfoza” hedhin shumë dyshime për të ardhmen e tij.

Prej vitesh ai ka qenë një nga të “përkëdhelurit” e kryeministrit Edi Rama, i cili e shpërbleu me 3 poste të rëndësishme, por e shkuara ka treguar se Rama nuk i fal ata që “e hanë pas shpine” dhe bshkëpunojnë me krimin. Të jetë ky një tjetër rast i ngjashëm? Koha do ta tregojë.