Është miratuar vendimi i Universitetit të Mjekësisë, i cili përcakton edhe koston vjetore që duhet të paguajë çdo student që nuk do të nënshkruajë kontratën detyruese me shtetin shqiptar.
Kështu mësohet se për çdo vit një student i mjekësisë duhet të paguajë 2.4 milionë të vjetra si tarifë vjetore dhe të mos nënshkruajë asnjë kontratë, shkruan A2CNN.
Kostoja e studimit është përllogaritur nga një grup i posaçëm pune në Universitetin e Mjekësisë referuar vendimit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje. Kjo tarifë u diskutua në Rektorat, kaloi në senatin e universitetit dhe firmën e fundit e ka dhënë Bordi i Administrimit, pasditen e së hënës.
Burime nga Universiteti i Mjekësisë bëjnë të ditur se tashmë po hartohet kontrata, e cila do t’u paraqitet studenteve nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë.
Ata që refuzojnë kontratën do të paguajnë 2.4 milion leke të vjetra tarifën e shkollimit. Të pyetur në lidhje me bojkotin e studentëve, drejtues të Fakultetit të Mjekësisë thonë se po zbatojnë ligjin ashtu siç duhet të veprojnë edhe studentët.
Për të frenuar largimin e bluzave të bardha nga vendi, qeveria ka miratuar një projektligj, ku thuhet se studentët të cilët nisin këtë vit Universitetin për Mjekësi, do të duhet të punojnë 5 vite pasi të kenë përfunduar studimet në Shqipëri, e më pas ta pajisen me diplomë. Ndërsa ata që janë në vitet e tjera do të duhet të punojnë 2-3 vite pas diplomimit. Studentët nuk pranojnë të firmosin ndërsa protestat kanë vijuar edhe ditën e djeshme.