Vangjush Dako kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i arrestuar për “shpërdorim detyre” në dy raste, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm që la të pandryshuar masën e sigurisë arrest në burg.

Rekursi është regjistruar teksa shorti ka caktuar si gjyqtar relator Ilir Pandën dhe pritet nga ky i fundit caktimi i datës për shqyrtimin e kërkesës.

Urdhër-arresti për Dakon u lëshua pas hetimeve të kryera për dy çështje të ndara; zbardhjen e lejes së ndërtimit të një pallati në Durrës thuajse dy vjet pasi ishte ndërtuar si dhe tenderin e ndërtimit të një shëtitoreje në zonën bregdetare.

Vangjush Dako  është kryebashkiaku jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur “non grata”  nga Departamenti amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Së bashku me të në burg janë edhe 6 zyrtarë të tjerë.

Adhurim Qehajaj, ish drejtori i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit, i cili akuzohet për  “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të krer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim”;

Fiqiri Farruku, administrator i firmës së ndërtimit “Fakle” Sh.p.k. nën  akuzë për “falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim”;

Ermal Lama, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit, nën akuzë për “Shpërdorim detyre” dy herë dhe “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim”;

Fatmir Ejupi, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit, nën akuzë për Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim”;

Meri Semini, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit, nën akuzë për “Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim” dhe Firzilet Hajdëri,  nën akuzë për “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”.