Vangjel Dule i pakënaqur me regjistruesit e censit: Po bëjnë presion mbi minoritarët grekë

Deputeti Vangjel Dule, i dalë nga lista e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, ku arriti të merrte vetëm 848 vota personale, në një konferencë për media ka shprehur pakënaqësinë ndaj regjistruesve të INSTAT për censin e popullsisë.

Ai tha se regjistruesit nuk e kryejnë regjistrimin siç duhet me tabletat përkatës, por mbajnë shënime dhe u thonë qytetarëve se do t’i hedhin në sistem më vonë.

Sipas tij, ka edhe raste kur qytetarët që deklarojnë se janë me përkatësi etnike greke, pyeten disa herë nëse janë të sigurt. Dule kërkon që qytetarët të mos kenë frikë të shfaqin etninë dhe besimin e tyre.

Pjesë nga fjala e Vangjel Dules:

Prej censusit të nisur në 18 shtator, po ju prezantoj me shqetësimet që kemi hasur këto ditë. Ka shumë raste kur regjistruesit në kundërshtim me ligjin, nuk e kryejnë regjistrimin me tabletat përkatës, por mbajnë shënime dhe thonë se do t’i hedhin më vonë. Nuk lihet njoftim me shkrim siç e kërkon ligji në banesat ku momentalisht nuk ka qytetarë

Kemi raste të denoncuara në Tiranë, Korçë, Sarandë e gjetkë ku nuk iu drejtohen qytetarëve pyetjet në lidhje me përkatësinë etnike, gjuhën amtare dhe besimin fetar. Kemi edhe raste me një biznesmen të njohur në Sarandë, që kur kërkoi t’i regjistrohej përkatësia etnike greke, në mënyrë të përsëritur, u pyet 3 herë nëse ishte i sigurt, sepse kishte biznes e prona. Vetëm pas insistimit të vazhdueshëm u regjistruan përkatësia etnike, gjuha amtare dhe besimi fetar.

Kemi edhe rastin kur kryefamiljari regjistronte të gjithë anëtarët e familjes, por regjistruesi nuk e lejonte pasi ata nuk ishin aty.

Kemi të bëjmë me shkelje flagrante, të cilat fatkeqësisht janë shoqëruar edhe me një retotrikë agresive nacionaliste në shumë media. Edhe zyrtarë të lartë shtetërorë krijojnë shqetësime të tilla që janë kundërvënie e hapur me frymën europiane.

Qytetarët të insistojnë dhe të deklarojnë nëse është vullneti i tyre përkatësinë etnike, gjuhën amtare apo besimin fetar. INSTAT urgjentisht të ndërhyjë te regjistruesit me qëllim që të shpëtojë procesin nga kthimi në një farsë. BE ta ndjekë këtë proces në vazhdimësi, që të mos jetë edhe ky census i dështuar.