Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha thotë se babai i saj dhe bashkëshorti, Jamarbër Malltezi ndodhen në “arrest shtëpie” pa asnjë prova dhe fakt sa i takon dosjes “Partizani”.
Në një konferencë për mediat me avokatët Genc Gjokutaj, Sokol Mëngjesi dhe Klodian Skënderaj, Malltezi tha se kryeministri Edi Rama ka bërë presion mbi SPAK, për të marrë të pandehur babain dhe bashkëshortin e saj.
Malltezi tha më tej se masa “arrest shtëpie” e caktuar ndaj Berishës, është vetëm për të goditur opozitën.
“Sali Berisha dhe Arbi Malltezi janë në burg pa asnjë provë apo dëshmi që të tregojë se kanë kryer një rol në atë që njihet si çështja Partizani. Masa e arrestit me shtëpi ka për qëllim goditjen e opozitës, për qëllimet e vetë pushtetit. Çështja nisi nëpërmjet diktatit politik, teksa Taulant Balla bëri një kallëzim penal, që ngriti disa pretendime, që SPAK më pas tha se janë akuza të vlefshme. Balla ka bërë kallëzim të rremë, ne e kemi kallëzur dhe SPAK nuk ka nisur procedim penal. Në çdo moment që Rama ka bërë presion ndaj SPAK për marrjen të pandehur të Sali Berishës apo familjes së tij, SPAK ka intensifikuar hetimet”, deklaroi Malltezi.
Ndërkohë avokati i Berishës Genc Gjokutaj ka thënë se ish-kryeministri po mbahet në “arrest shtëpie”, me urdhër politik të Edi Ramës dhe qëllimi është që atij t’i digjet mandati.
Më tej Gjokutaj u shpreh se sipas ligjit masa ndaj Sali Berishës duhet të rishqyrtohet çdo dy muaj.
“Kur dikush mbahet në izolim për shkaqe jo ligjore, shkaku i dytë është arsye politike, me qellim per ti konsumuar mandatin e deputetit. Ne raste të tilla nuk mundet që masa e sigurisë të ndërpresë aktivitetin e deputetit. Sipas ligjit cdo dy muaj duhet të rishqyrtohet masa pasi sistemi jonë i drejtësisë është i tillë që gjykata ka rol kontrollues. Kur gjykata jep arrest cdo dy muaj kontrollon efektshmërinë e shfrytëzimit të afatit hetimor. Berisha mbahet në arrest shtëpie vetëm me urdhër politik të Edi Ramës.
Masa e arrestit të Berishës është vendosur pas dy muaj kur ai ka qenë detyrim paraqitje. Prokurorët jo kanë heshtur, por kanë konfirmuar faktin që Berisha nuk ka prishur asnjë provë, për të intimiduar dëshmitarë , çka e bën të pakuptimtë këtë masë sigurimi. Kur dikush mbahet në izolim për shkaqe jo ligjore, shkaku i dytë është arsye politike. Zvarritje po bëhet me qëllim që të konsumojnë edhe mandatin e zotit Berisha”, tha Gjokutaj.