Me uljen e temperatrurave janë rikthyer reshjet e borës në juglindje të vendit. Reshjet e borës kanë qenë prezente që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në lartësitë mbi 1300 metra mbi nivelin e detit.
Në Dardhë dhe Voskopojë trashësia e dëborës ka shkuar 5 deri në 10 centimetra. Raportohet se nuk ka vështirësi në qarkullimin e makinave, megjithatë rekomandohen goma dimërore bashkë me pajisjet shtesë gjatë lëvizjes.
Ndërkohë pjesa tjetër e Qarkut të Korçës prej mbrëmjes së djeshme është përfshirë nga reshjet e shiut dhe temperaturat e ulëta.
Dëbora ka mbuluar edhe fshatrat në lartësinë mbi 900 metra mbi nivelin e detit në Elbasan dhe vazhdon të bjerë me intensitet të lartë.
Trashësia më e madhe mëngjesin e kësaj të shtunë është regjistruar në fshatrat e Njësisë Administrative Steblevë, në fshatin Qarrishtë, Rrajcë dhe në disa fshatra të tjerë malorë.