U rrëzua nga një urë 10 metra e lartë, humb jetën 14 vjeçarja shqiptare në Greqi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Katerinit dy ditë më parë ku një 14 vjeçare shqiptare humbi jetën pas një incidenti tragjik.

Sipas mediave greke, e mitura u rrëzua nga një urë rreth 10 metra e lartë dhe pësoi dëmtime të rënda.

Fillimisht, ajo u transportua me urgjencë me autoambulancë në spitalin e Katerinit, por për shkak të gjendjes së rëndë, mjekët vendosën që të dërgohej në spitalin “G. Gennimatas” në Selanik dhe më pas në spitalin “Ippokrateio”.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të mjekëve për ta mbajtur në jetë, vajza ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës.

Rrethanat e sakta të ngjarjes ende nuk janë zbardhur plotësisht, ndërsa autoritetet greke po hetojnë për të sqaruar se si ndodhi rënia tragjike nga ura. Deri më tani, është përjashtuar mundësia e një akti kriminal.