U rikthye pas 11 muajsh në Kuvend, Berisha “detyron” gjithë deputetët të ngrihen në këmbë

Pas 11 muajsh në “arrest shtëpie”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer sot sërish në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai mori fjalën në Foltore, ku foli për profesorin Sami Repishti, i ndarë nga jeta pak ditë më parë. Berisha kujtoi profesorin si një nga njerëzit më të shquar shqiptarë.

Në nderim të figurës së Sami Repishtit, Berisha kërkoi nga deputetët të mbajnë një minutë heshtje, kërkesë që u pranua edhe nga mazhoranca.

“Këto ditë është ndarë nga jeta një kolos i mendimit intelektual shqiptar, një avokat i pamposhtur i çështjes kombëtare, një luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, një martir i gjallë që përjetoi në vitet e para të diktaturës barbaritë dhe torturat më çnjerëzore, profesor Sami Repishti.

Profesor Sami Repishti ishte ndër më të shquarit shqiptarë në diasporën dhe emigracionin tonë. Fjala dhe penda e tij nuk rreshti kurrë së mbrojturi çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar. Ai, një antikomunist i vendosur, i dëshmoi me shkrimet e tij mbarë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Hitlerit shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës.

Por, dha një kontribut dhe fjala e tij u dëgjua në të gjitha instancat e shtetit amerikan për të drejtat e shqiptarëve të pushtuar në Kosovë. Për të gjitha këto, unë ftoj parlamentin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me një minutë heshtje,” tha Berisha.