Një 58 vjeçar nga Rrëmbeci i Maliqi, i shtruar prej disa ditësh në QSUT në gjendje të rëndë, pasi sipas policisë u godit nga kali, ka humbur jetën, por familjarët ngrenë pretendime për ngjarje kriminale.
Bëhet fjalë për Jorgo Ajredinin, i cili më datë 13 gusht u dërgua në spitalin e Korçës me plagë në kokë dhe më pas për shkak të gjendjes së rënduar u transferua në Tiranë.
Por edhe pse policia thotë se ngjarja ishte aksidentale, familjarët e tij thonë se 58 vjeçari është qëlluar nga një person.
Ata kanë deklaruar për mediat se Ajredini u gjet pranë fushës së sportit të fshatit, i hedhur në një kanal, me plagë të shumta në kokë,në ballë, pas veshëve dhe në nofull.
Dyshimet e tyre shtohen edhe nga dëshmia që i ndjeri dha para se të humbiste ndjenjat. Agustin Ajredini, vëllai i viktimës, rrëfen se i plagosuri i ka thënë se nuk e kishte goditur kali, por “një person i shkurtër nga Pogradeci”.
“Kam qenë në Rëmbec bashkë me vëllanë. U ndamë aty. E gjeta duke pirë ndonjë gotë te muzeumi, tek klubi. Vëllai mori kalin dhe shkoi ta lidhte në jonxhë, unë ika në shtëpi. Vjen kushëriri, më zgjon dhe më thotë: ‘Është goditur vëllai nga kali’. Shkuam 45 minuta para se ta nisnin në Tiranë. E pyeta vëllain dhe më tha: ‘S’më ka goditur kali, por një person nga Pogradeci’. Shkova në Tiranë një ditë, të nesërmen e denoncova në Maliq. Çështja ishte shumë e rëndë. Ishte në gjendje kome, doktorët e ngritën lart, sepse ishte pak më mirë. ‘Më goditi’, tha vëllai, por s’qe i vetëdijshëm. Pastaj vajti prapë poshtë dhe e ngritën përsëri. Me pak fjalë e kanë goditur. Në vendin që duhej lidhur kali nuk ishte kali; ai duhej të ishte në jonxhë. Atij i bënë pritë. Kur tha ‘më goditën’ tha edhe ‘një i shkurtër nga Pogradeci’. Këtë e tha vetë. Dua të vërtetën. Policia s’ka bërë asgjë“, u shpreh vëllai i viktimës, Agustin Ajredini.
Edhe daja i viktimës, qëndron në të njëjtën linjë duke thënë se kjo është një ngjarje kriminale dhe si e tillë duhet të zbardhet.
Mësohet se policia dhe prokuroria kanë rihapur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Deri më tani janë shoqëruar rreth 15 persona, mes tyre familjarë dhe banorë të Rëmbecit, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të zonës, të cilat po analizohen nga prokuroria.