Vëllai i dy të rinjve të akuzuar që shfrytëzonin të miturin afgan në Shkodër, ka reaguar për mediat.
Lazër Pashuku, vëllai i të arrestuarit Alehandro Pashuku dhe të shpallurit në kërkim Kristjan Pashuku dhe babai i tyre Aleksandër Pashuku, të cilët kanë në pronësi një servis makinash, kanë treguar se e kanë strehuar 16 vjeçarin në banesën e tyre pasi e kanë gjetur të uritur.
Ata kanë thënë se e kanë mbajtur si njeri të familjes, i kanë dhënë ushqime, ilaçe dhe para ndërsa e mbanin të punësuar njëlloj si punonjësit e tjerë.
Sipas tyre afgani ka qenë i lirë për të lëvizur në qytet vetëm ose me të tjerët. Pronarët thonë se shtetasi afgan i ka thënë se është 19 vjeç dhe jo 16 dhe se ai ka komunikuar lirisht çdo natë me familjen e tij. Po ashtu, Lazër Pashuku shprehet se të gjithë këtë afgani e ka bërë me qëllimin për të kërkuar azil dhe për t’u larguar te familja e tij në Greqi.
Pronari tregon se ka dashur ta ndihmojë që të largohet drejt Greqisë duke i dhënë para dhe ushqime për rrugën, por sipas tij, afgani i ka kërkuar që të qëndrojë edhe dy muaj të tjerë për të punuar.
Po ashtu, babai i vëllezërve Pashuku, Aleksandër Pashuku shprehet se i ka hapur dyert e shtëpisë së tij duke fjetur aty dhe duke e trajtuar njësoj si djemtë e tij. Familja Pashuku kërkon drejtësi për të arrestuarin Alehandro Pashuku dhe të shpallurin në kërkim Kristjan Pashuku duke thënë se nuk është e vërtetë se e ka trafikuar dhe se nuk ka patur asnjë lloj presioni, përkundrazi e kanë ndihmuar atë maksimalisht.