Tuneli i Llogarasë mbyllet pa asnjë paralajmërim, makinat ngecin në trafik

Qytetarë të shumtë kanë denoncuar në rrjete sociale se Tuneli i Llogarasë është bllokuar ndërsa është krijuar radhë e gjatë me makina që presin për të kaluar.

Në videon e publikuar nga JOQ, shihen makinat që janë në radhë ndërsa tabela tregon se tuneli është mbyllur duke mos dhënë asnjë lajmërim paraprak apo arsyet.

“Tuneli 10 eurosh është bllokuar! Piqemi në diell, nuk ka asnjë polic këtu,” – shkruan një qytetar në denoncimin e dërguar.

Qytetarët, të cilët i janë drejtuar bregdetit janë përballur me një bllokim te tunelit ndërsa presin me orë mes temperaturave të larta.

Kujtojme se duke nisur nga muaji maj, tuneli i Llogarasë është bërë i kalueshëm pa pagesë për automjetet që udhëtojnë drejt Dhërmiut dhe më në jug të Shqipërisë. Ndërsa prej datës 15 shtator do të bëhet me pagesë, e cila shkon deri në 10 mijë lekë vajtje-ardhje.

Ndërtimi i tunelit të Llogarasë është shoqëruar me akuza për korrupsion. Opozita ka denoncuar se në projektin e kësaj vepre ka patur abuzime deri në 50 milionë euro.