Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një valë të re tarifash doganore që përfshijnë një taksë 100% për barnat e markuara ose të patentuara që importohen në SHBA nga 1 tetori, nëse kompania përkatëse nuk ka ndërtuar fabrikë prodhimi brenda vendit.
Gjithashtu, do të vendoset një taksë 25% për importin e kamionëve të rëndë dhe një tjetër prej 50% për mobiliet e kuzhinës dhe banjës. Trump tha se këto masa janë përgjigje ndaj “vërshimit masiv” të produkteve të huaja që dëmtojnë prodhuesit amerikanë.
Masa vjen pavarësisht thirrjeve nga bizneset amerikane për të mos vendosur tarifa të reja, ndërsa kritikët paralajmërojnë rritje të kostove për konsumatorët dhe ndikim negativ në tregti.
Ekspertë të ekonomisë theksojnë se tarifat për barnat nuk pritet të kenë ndikim të menjëhershëm, pasi ato nuk përfshijnë produktet gjenerike dhe kompanitë që kanë ose planifikojnë prodhim në SHBA.
Kompanitë farmaceutike britanike si GlaxoSmithKline dhe AstraZeneca tashmë kanë prezencë të fortë në SHBA dhe kanë paralajmëruar investime miliarda dollarëshe në vitet e ardhshme, çka mund t’i mbrojë nga tarifat e reja.
Ndërkohë, tarifa të reja do të aplikohen edhe për mobilie të tjera, përfshirë mobiliet e mbuluara me tekstil, me një taksë 30% që hyn në fuqi javën e ardhshme. Gjiganti suedez Ikea ka deklaruar se tarifat po e vështirësojnë operimin e biznesit në SHBA.
Këto masa janë pjesë e politikave tregtare të Trump për të mbrojtur prodhimin vendas, që prej rikthimit të tij në skenën politike. Megjithatë, kritika të shumta janë ngritur për efektet negative që këto tarifa mund të kenë në industrinë e automjeteve, ku shumica e pjesëve vijnë nga Kanadaja, Meksika dhe vende të tjera evropiane.
Ekspertët thonë se tarifat mund të ndihmojnë prodhuesit amerikanë, por në të njëjtën kohë pritet të rrisin ndjeshëm çmimet për konsumatorët dhe të krijojnë pasiguri për investitorët.