Tritan Shehu nuk i bindet “urdhrit” të Berishës, voton për kryetarin e ri të Kuvendit

Deputeti Tritan Shehu, ndryshe nga kolegët e tij demokratë, mori pjesë në procesin e votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit.

Teksa e gjithë opozita futi në kutinë e votimit pankarta ironizuese për qeverinë, Shehu duket se ka dalë nga rreshti. Ai shkoi pranë komisionit për të marrë fletën dhe për të votuar.

Teksa raportohet se vota e tij ka qenë kundër zgjedhjes së Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit të ri, veprimi i tij ka nxitur debate brenda kampit blu.

I pyetur nga gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha kërkoi kohë që të fliste me Shehun lidhur me veprimin e tij pasi mund të mos e ketë marrë mesazhin në grupin e Whatsapp-it të PD-së, ku u kërkohej deputetëve të mos merrnin pjesë në votim.

“Do më jepni mundësi për të folur me zotin Tritan Shehu. Dua që zoti Shehu të më sqarojë, ka mundësi që mesazhi në grupin e Whatsapp  të mos jetë kuptuar”, tha Berisha.

Niko Peleshi, emri i të cilit u propozua nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, u zgjodh sot kryetar i Kuvendit të Shqipërisë me 84 vota pra dhe 3 kundër.