Tre ditë nga zgjedhjet e 11 Majit, ulet avioni i parë në aeroportin e Vlorës

Pak ditë para zgjedhjeve të 11 Majit, këtë të enjte u realizuar fluturimi certifikues në aeroportin e Vlorës.

Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku ku në aeroportin e Vlorës u ul avioni i parë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se ishte një projekt tejet sfidues. 

“Dola t’ju them në radhë të parë shumë urime dhe me këmbë të mbarë të gjithë punonjësve dhe punonjësve të reja të aeroportit të Vlorës. Dua të falenderoj grupin e ardhur nga Kosova që janë këtu të pranishëm dhe të shpreh besimin se kjo shqiponjë dykrenare që është krijuar në trupin e aeroportin të Vlorës me burime njerëzore nga Kosova dhe Shqipëria do ta ngrejë shumë lart emrin e këtij aeroporti për cilësinë e shërbimit, sigurinë dhe nivelin e buzëqeshjes që e pashë sot me shumë kënaqësi. Dua të falenderoj ata që besuan dhe punuan për këtë projekt që s’ka qenë aspak i lehtë dhe tejet sfidues. Mjafton të shohësh pak më larg se si i gjithë aeroporti është ngritur dy metra nga sipërfaqëja e terrenit, pasi terreni është 2 m nën nivelin e detit dhe cfarë pune e jashtëzakonshme është bërë në të gjithë pjesën e padukshme për të garantuar një platformë solide të kategoritë më të lartë ndërkombëtare”, tha Rama.

Sipas Unionit Turistik Shqiptar, këtë verë ky aeroport do të funksionojë vetëm për avionët charter me turistë. Në bazë të kontratave që janë lidhur avioni i parë me turistë pritet që të ulet më 8 Qershor.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, ndërsa synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.

Megjithatë duhet nënvizuar se fluturimi i parë certifikues u la për më datë 8 Maj, teksa ditën e diel janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.