“Transeksualët dhe homoseksualët mund të pagëzohen, të jenë kumbarë ose dëshmitarë në martesa”, Papa Françesku firmos dokumentin

 Vatikani lejon tanseksualët të kërkojnë pagëzimin dhe të pagëzohen nga Kisha Katolike. Sipas një dokmenti të publikuar, Papa Françesku ka firmosur gjithashtu duke lejuar transeksualët të mund të bëhen kumbarë dhe dëshmitarë të dasmës në kishë.

Drita jeshile u jepet edhe kumbarëve homoseksualë që jetojnë me një person tjetër, përderisa bëjnë “një jetë konform besimit”. Këto janë indikacionet që vijnë nga Dikasteri për Doktrinën e Besimit, i drejtuar nga Kardinali Victor Manuel Fernandez, dhe të cilat u miratuan shprehimisht nga Papa Françesku.

Mundësia për këtë hapje revolucionare vjen nga përgjigjet e disa pyetjeve që i janë bërë Vatikanit nga Ms. José Negri, peshkop i Santo Amaro në Brazil, korrikun e kaluar. Pyetjet kishin të bënin me pjesëmarrjen e mundshme në sakramentet e pagëzimit dhe martesës nga persona transeksualë dhe homo-afektivë.

Nëse për të marrë pagëzimin është e vështirë të imagjinohet përjashtimi nga Kisha i të rriturve që e kërkojnë atë, për sa i përket figurës së kumbarëve në pagëzim dhe dëshmitarë të dasmës, apo njerëzve të thirrur për të mbështetur të interesuarit për besimin, indikacionet e Vatikanit janë të paprecedenta. 

Në kushte të caktuara, një transeksual i rritur që gjithashtu i është nënshtruar trajtimit hormonal dhe operacionit të ndryshimit të seksit mund të pranohet në rolin e kumbarit ose kumbarës. Kjo detyrë është një e drejtë, por kërkon që të mos lejohet nëse ka rrezik skandali ose ndikimi negativ.

Gjithashtu, trajtohet problemi i prindërve homoseksualë apo atyre që kanë pasur fëmijën e tyre gjatë shtatzënisë me nëna të tjera (surrogate).

“A mund të shfaqen dy persona homo-afektivë si prindër të një fëmije, i cili duhet të pagëzohet dhe që është birësuar apo marrë me metoda të tjera si mitra me qira?”, pyeti Vatikanin peshkopi i Brazilit. Përgjigjja e Dikasterit të Besimit: “Që fëmija të pagëzohet, duhet të ketë një shpresë të bazuar se ai do të arsimohet në fenë katolike”.