Tragjedi në SHBA/ Rezervisti i ushtrisë amerikane sulmon me armë në 2 qytete, 22 viktima dhe 60 të plagosur, autori ende i lirë

Një sulm me armë zjarri ka ndodhur gjatë natës në qytetet Lewiston dhe Auburn në SHBA, ku një rezervist i ushtrisë amerikane qëlloi mbi civilë dhe vrau 22 persona, ndërsa 60 të tjerë janë plagosur.

Mediat e huaja bëjnë me dije se autori është Robert Card, 40 vjeç, njohës i mirë i armëve, i armatosur me një pushkë lufte të tipit Ar-15. Ai zbriti nga makina dhe filloi të qëllonte klientët në disa lokale dhe restorante në Lewiston, për të shkuar më pas në Auburn dhe për të bërë të njëjtën gjë.

Policia u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në banesat e tyre, pasi agresori vijon të jetë i lirë dhe është shumë i rrezikshëm. Efektivët janë vënë në kërkim të tij, teksa qytetarëve u është përshkruar veshja e tij, në mënyrë që të mund të japin informacione nëse e shikojnë duke lëvizur në afërsi të banesave të tyre.