Tragjedi në Itali, autobusi bie nga ura dhe përfundon mbi telat elektrikë, 21 viktima dhe 18 të plagosur

Një ngjarje tragjike ndodhi mbrëmjen e djeshme në Venecia të Italisë, ku një autobus ka rënë nga ura dhe ka përfunduar fillimisht mbi telat elektrikë e më pas mbi shinat e trenit.

Për pasojë 21 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që 18 të tjerë janë plagosur rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor në spital.

Drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe autobusi ra mbi telat elektrikë, ku menjëherë u përfshi nga flakët. Mediat italiane bëjnë me dije se autobusi po transportonte turistë ukrainas, gjermanë, kroatë dhe francezë në një kamping pranë Venecias.

Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit shkuan menjëherë në vendngjarje, teksa bëhet me dije se mes të plagosurve ka edhe fëmijë. Kryebashkaiku i Venecias e ka shpallur ditë zie ditën e sotme, ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave:

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella, si personale ashtu edhe të gjithë qeverisë. Mendimet tona janë me viktimat, familjet dhe miqtë e tyre. Jam në kontakt të ngushtë me kryebashkiakun Luigi Brugnaro dhe ministrin Matteo Piandendozzi për të ndjekur lajmet për këtë tragjedi”, u shpreh ajo.