“Viti 2023 ishte i jashtëzakonshëm për turizmin”. Kjo ka qenë deklarata e kryeministrit Edi Rama para pak kohësh, i cili në daljet e tij të ndryshme ka bërë propagandë me shifrat e larta të turistëve që vizituan vendin tonë vitin që lamë pas.
Nuk janë të pakta edhe deklaratat e kreut të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili me krenari e ka krahasuar kryeqytetin si një qendër atraksioni për turistët nga rajoni dhe Evropa e më gjerë.
Por vetëm se ka një problem, në Tiranën e madhe, të zhurmshme, të kaosit mungojnë pothuajse të gjithë institucionet e kulturës.
Muzeu Kombëtar është i fundit që mbyll dyert për turistët për plot 4 vite, pra deri në vitin 2028 për shkak se do t’i nënshtohet restaurimit.
Por le ti marrim me radhë.
Tirana është pa një Teatër Kombëtar që prej 17 majit të vitit 2020 kur godina mbi 80-vjeçare u shemb nga fadromat e bashkisë së Tiranës, pavarësisht protestave të shumta të artistëve dhe qytetarëve.
4 vite pas shembjes e pas premtimeve të shumta të kryebashkiakut Veliaj se Teatri i ri Kombëtar do të përfundonte përpara fundit të mandatit të tij të dytë, pra në 2023-in, ky premtim nuk u realizua.
Galeria Kombëtare e Arteve po ashtu nuk është në funksion të vizitorëve apo tursitëve, për shkak se po i nënshtrohet rikonstruksionit.
Ndërkohë nuk është në ditët e saj më të mira edhe Biblioteka Kombëtare, e cila është tashmë në kolaps. Pak kohë më parë në media u publikuan pamjet se si librat dhe periodikët ishin vendosur në kuti kartoni ndërsa zgjidhja e vetme është ndërtimi i Bibliotekës së re, por projekti duket ende larg.
Ndërkohë në Tiranë po ashtu nuk ka një Teatër Kukullash. Godina aktuale është në fazë rikonstruksioni ndërsa Teatri i ri i Kukullave do të ndërtohet në territorin e Gardës së Shqipërisë.
Pra në Tiranë, turistët të cilët me siguri nuk vijnë për të parë kullat e larta apo të durojnë ndotjen e lartë, nuk kane asnjë institucion kulture. E njëjta gjë vlen edhe për vizitorët vendas, të cilët janë të privuar prej kohësh nga aktivitetet kulturore që këto institucione do të duhet të ofronin.