Biznesmeni Juljan Morina, i njohur si Lul Morina, është thirrur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion. Biznesmeni është filmuar teksa futet në ambientet e SPAK, ndërsa ka qëndruar brenda për rreth 30 minuta. Ai nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, ndërsa ende nuk dihen arsyet e thirrjes së tij në SPAK.
Një vit më parë Morinës iu sekuestrua një pallat 9-katësh pa leje në zonën e Farkës në Tiranë.
Julian Morina njihet për jetën e luksit, ku ekspozon në rrjetet sociale një jaht me mbiemrin e tij ‘Morina’, makinë Rolls Royce etj. Morina është shfaqur edhe në ortakëri me vëllezërit indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të dyshuar për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliard USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi. Lul Morina rezulton në regjistrin e biznesit 12 vitet e fundit, ndërsa nuk dihet baza mbi të cilën e ngriti kapitalin.
Julian (Lul) Morina njihet edhe si ish-donator i Klubit të Futbollit Tirana.