Tërmet shkatërrimtar në Afganistan, 600 të vdekur dhe mbi 1500 të plagosur

Më shumë se 600 persona dyshohet se kanë vdekur pasi një tërmet me magnitudë 6.0 goditi Afganistanin lindor. Megjithatë pritet që numri i viktimave të rritet edhe më shumë në orët në vijim. Ndërkorë raportohet për 1500 persona të plagosur. Tërmeti tronditi ndërtesat nga Kabuli deri në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.

Dhjetëra shtëpi janë “nën rrënoja”, thonë burime nga qeveria talebane, ndërsa zyrtarët raportojnë se fshatra të tëra janë shkatërruar.

“Numri i viktimave dhe të plagosurve është i lartë, por duke qenë se zona është e vështirë për t’u arritur, ekipet tona janë ende në terren,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman, në një deklaratë për Reuters.

Afganistani ka një histori të gjatë tërmetesh, shumë prej të cilëve ndodhin në rajonin malor Hindu Kush që kufizohet me Pakistanin. Në tetor 2023, mbi 2 mijë njerëz humbën jetën pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 6.3 që goditi Afganistanin perëndimor – një nga tërmetet më vdekjeprurëse në vitet e fundit në vend.

“Deri më tani, asnjë qeveri e huaj nuk ka kontaktuar për të ofruar mbështetje për punën e shpëtimit ose ndihmës”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.