Ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si Rumi i Shijakut do të përballen ne gjyq me të akuzuarit, për atentatin e ndodhur 5 vite më parë.
Ngjarja ndodhi te mbikalimi i Shkozetit dhe shënjestër e atentatit ishte Ndoja, edhe pse plumbat do të ishin fatal për shoferin e tij, Andi Maloku, i cili humbi jetën.
Seanca gjyqësore paraprake e caktuar për më 10 shtator, zhvillohet ndaj të dyshuarve si anëtarë të një grupi kriminal të përbërë nga Ramazan Rraja, Genti Ndrejaku, i njohur edhe si Kili ose Ekil Ndrejaku, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.
Ata u arrestuan më janar 2023, pasi SPAK siguroi nga autoritetet franceze komunikimet e tyre në SKY ECC.
Ne lidhje me ngjarjen, Redian Rraja u dënua me burg përjetë në korrik të vitit që shkoi si një prej autorëve të atentatit. Ariol Halilaj, bashkëpunëtori tjetër u dënua me 35 vjet burg në shkallën e parë.
Hetimet e SPAK zbuluan se pjesë e këtij grupi është edhe Plarent Dervishaj e Julian Meçe, të arrestuar në Dubai dhe transferuar në Shqipëri pak ditë më parë.
Në listën e të njoftuarve janë edhe Mitri Prifti dhe Vullnet Muça, i njohur dhe si Vullnet Muharremi, që dyshohet se kanë qenë shënjestra të grupit kriminal, pasi SPAK ka prova se janë siguruar kushte për vrasjen e tyre. Si palë e dëmtuar në këtë gjykim është ftuar edhe Luan Mata, babai i të shpallurit në kërkim nga SPAK, Ervin Mata, për shkak së të akuzuarit e dosjes në maj të vitit 2020 shpërthyen një sasi tritoli pranë një hoteli në pronësi të tij në Rrugën e Dibrës në Tiranë.
Gjykata e Posaçme njofton të dëmtuarit se kanë të drejtë të marrin pjesë në seancë personalisht, ose përmes një përfaqësuesi ligjor.