Tentoi të kalonte mbi 24 mijë euro pa deklaruar, procedohet 26 vjeçari në Kakavijë

Një 26 vjeçar është proceduar penalisht në Kakavijë, pasi ka tentuar të largohet drejt Greqisë me 24800 euro të padeklaruara.

Policia bën me dije se është proceduar në gjendje të lirë S. P., 26 vjeç, banues në Terihat, Dropull, teksa është sekuestruar shuma monetare.

Njoftimi i policisë:

PKK Kakavije/Si rezultat i kontrolleve të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave.

Sekuestrohen 24 800 euro, procedohet penalisht 26-vjeçari që nuk i deklaroi në dalje të RSh-së.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave.

Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi S. T., në çantën e të cilit u gjetën 24 800 euro që ai po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar siç e përcakton ligji.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 26 vjeç, banues në Terihat, Dropull.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.