“Të rishikohet ligji i dekriminalizimit”, Celibashi: Nuk jemi gati për votim elektronik në të gjithë vendin

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka qenë i pranishëm në mbledhjen online të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ai deklaroi se Shqipëria nuk është ende gati që të aplikojë votimin elektronik në të gjithë territorin, për shkak se koha është e shkurtër, por edhe fatura financiare është shumë e madhe.

Ai foli edhe për ligjin e dekriminalizimit, për të cilin tha se duhet të rishikohet, në mënyrë që ky ligj të jetë sa më funksional.

“Një aspekt tjetër që duhet të adresohet ka të bëjë me rregullat për sjelljen dhe veprimet e institucioneve publike dhe zyrtarëve në fushatën zgjedhore. Jeni në dijeni se ka patur për këtë aspekt të procesit edhe kritika nga vëzhguesit ndërkombëtar dhe vendas, edhe ne kemi konstatuar problematika. Ka nevojë qe të ketë përcaktime më të qarta në lidhje me kategoritë apo aktet që për një periudhë të caktuar iu ndalohet t’i kryejnë funksionarët publikë duke filluar nga kryeministri, anëtarët e qeverisë apo administratorë të tjerë publikë. Ka nevojë që kodi zgjedhor të adresojë këtë çështje pasi e shoh të vështirë. Ai rregullim që ne kemi bërë ka nevojë për t’u riparë. Çështje të tjera që duhen të adresohen kanë të bëjnë me përgatitjen e listës së zgjedhjeve dhe me organizimin e qendrës së votimit, procedurat dhe kushtet për afatet e regjistrimit të kandidatëve, kushtet për ndalimin për të kandiduar dhe zgjedhur. I referohem ligjit për dekriminalizimin. Mendoj se pavarësisht pikëpamjeve nga aspekti qoftë politik, si komisioner dhe si jurist mendoj se ka aspekte të këtij ligji që duhet të rikonsiderohen”, tha Celibashi.

Gjithashtu kreu i KQZ-së u shpreh se është ende herët që të depolitizohet administrimi i KZAZ-vë, pasi është ende herët që procesi zgjedhor të administrohet nga shërbimi civil.

“Ne kemi probleme që vijnë nga mënyra se si janë të organizuar dhe si funksionojnë qendrat e votimit dhe KZAZ. Personalisht mendoj se është pak herët për t’i larguar tërësisht partitë politike nga administrimi i procesit zgjedhor por nga ana tjetër mendoj që KQZ, ka një lloj kredibiliteti deri diku të pranuar, të besueshëm nga spektri politik, dhe pse jo në komisionet e niveleve të dyta dhe të treta të mos kishim një organizim që nga njëra anë jep mundësinë partive që të jenë prezente dhe të kenë një dorë në administrimin e procesit zgjedhor por fjala e fundit në aspektin teknik të administrimit teknik në nivelet e komisionit të qendrës së votimit dhe KZAZ t’i besohet katërcipërisht KQZ. Në çdo lloj rrethane të organizimit të këtyre komisioneve, duhet të vendoset kusht që ata që do të angazhohen si komisioner apo si sekretar për KZAZ, të jenë të trajnuar dhe të certifikuar. Sesi si do të kombinohet edhe interesi i partive politike për të qenë të sigurta në atë çfarë ndodh në KZAZ, mendoj që ka mënyra dhe forma për ta adresuar. Jemi akoma herët, në vlerësimin tim, që të themi se procesi zgjedhor mund të administrohet tërësisht nga punonjës të shërbimit civil. Kemi akoma nevojë që partitë kryesore të kenë njeriun e tyre në proces”, u shpreh ai.