Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, të akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018 në Shkodër.
Tre të pandehurit kishin kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që i la në burg, duke depozituar rekurs. Por Gjykata e Lartë vendosi të mos e pranojë rekursin, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.
Safet Bajri u arrestua më datë 21 shkurt nga forcat RENEA në Shkodër. Në njoftimin zyrtar SPAK deklaroi se ka mbledhur prova se ai së bashku me Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, planifikuan, organizuan dhe kryen vrasjen e Licit, të afërmin e Ibrahim Licit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Fatbardh Lici u ekzekutua për hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana. Sipas SPAK për këtë krim, Behar Bajri akuzonte si autor Ibrahim Licin.