Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama priti në kryeministri ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis.
Ndryshe nga herët e tjera, Rama u mjaftua me postimin e dy fotove në rrjetet sociale, duke mos treguar asgjë se çfarë u diskutua me ministrin grek, pavarësisht se çështjet që lidhin dy vendet janë të shumta.
Por heshtjes së Ramës i është përgjigjur ministri Gerapetritis, i cili ka folur për mediat vendase, ku ka treguar se ndër të tjera është folur edhe për çështjen Beleri, për të cilin Athina zyrtare kërkon lirimin dhe betimin si kryebashkiak i Himarës.
Sipas ministrit grek, refuzimi i vazhdueshëm i Shqipërisë përbën një devijim të dukshëm nga shteti europian i së drejtës. “Ky refuzim i vazhdueshëm përbën një devijim të dukshëm nga shteti europian i së drejtës dhe sigurisht nga prezumimi i pafajësisë”, u shpreh ministri grek.
Një temë e nxehtë që ka sjellë edhe tension mes dy vendeve është edhe censi i popullsisë, pasi Greqia po lobon fort që bashktë e Himarës dhe Konispolit t’i kthejë në bashki minoritare, për të patur edhe më shumë ndikim në këto zona.
Për këtë çështje, ministri grek tha se është informuar mbi të gjithë procesin e regjistrimit që po ndodh në vendin tonë.
“Jam i informuar si për çështjet që kanë të bëjnë me diasporën, si dhe mbi të gjitha kërkesat për të pasur integritet në procesin e regjistrimit që po zhvillohet aktualisht në Shqipëri, ashtu edhe për punën e madhe arsimore dhe kulturore të kryer”, deklaroi ai.