I penduari i drejtësisë, Artan Tafani ka rrëfyes sot në sallën e gjyqit detaje tronditëse nga krimet e kryera nga ai dhe banda e Laert Haxhiut. Një ndër to ka qenë edhe ekzekutimi i të riut Fridman Xhaferraj në 2 qershor 2023 në Korçë.
Tafani ka treguar se si e mashtruan të riun që ta merrnin me vete në makinë dhe më pas e ekzekutuan. Pas vrasjes, trupin ia hodhën në një rezervuar, duke ia lidhur me gur që të fundosej.
Viktima kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu ku akuzohej për djegien e një makine në Lushnjë, porosi që ishte dhënë nga kushëriri i tij, Laert Haxhiu.
“Ligori mori në celular Laertin dhe i tha se Fridman Xhaferri ka folur në celular me dikë për punë malli. Neve, siç ishim tek hoteli, na tha Laerti: “Çohuni se do ikim Korçë ta vrasim.” Kur u nisëm për Korçë, unë, Laerti dhe Lulzimi, ky i fundit mori një pistoletë nga një garazh ku mbanin armë këta dhe një makinë me portobagazh. Ndaluam në Pogradec, ku takuam Bledar Berberin dhe Mariglen Topuzin, i morëm në makinë. Laerti kërkonte gjatë rrugës vend ku do hidhej trupi, edhe Bledari kishte chat email. Pamë një rezervuar. Rrugës bënin dhe shaka, Marigleni i thoshte Laertit: “O lala, ma le ta bëj unë, të mësoj dorën.” Për çdo gjë që ndodhte, Bledar Berberi e merrte vesh dhe e dinin që unë sapo kisha bërë vrasjen në Tepelenë. Unë isha i mpirë.
Në makinë, Laerti i tha: “Do e vrasim Fridmanin.” Marigleni dhe Bledari zbritën më pas nga makina. Ne vijuam për në Korçë. Në një rezervuar që shkuam, Laerti nuk e pëlqeu vendin, ja rekomanduan Bledar Berberi dhe Mariglen Topuzi. Në Korçë shkuam unë, Laerti dhe Lulzimi. Shkuam te shtëpia e Ligor Romaçkës. U nisëm për te rezervuari i Gjanqshit, na çoi Ligori si i zonës. Laertit i pëlqeu. Lulzimin e lamë aty, shkuam dhe morëm një litar e një gomë makine.
E morëm Fridmanin në makinë, po s’i thamë gjë ku do shkonim. I thamë: “Do paketojmë hashash.” Sa mbërritëm, Laerti i thotë Fridmanit: “Po qysh ishte ai muhabeti që ke thënë ‘do flas po s’më nxorët nga burgu’?” Ai tha: “Jo”, qante i shkreti. Lutej: “O Marius,” më thoshte, “thuaj të më falë.” Gjuajti njëherë Lulzimi me e kap në kokë. Ai luajti kokën. Pastaj Laerti i tha Lulzimit: “Vrite.” I gjuajti mbrapa kokës. Po ai lëvizte akoma, merrte frymë akoma. Pastaj i ramë me atë gomën. E lidhën me litar dhe e futën në rezervuar. E lidhën trupin edhe me gomë që ta fundoste në ujë. Njëherë e nxori në sipërfaqe, pastaj e lidhëm me gurë dhe e hodhën brenda”- dëshmoi ai në sallën e gjyqit.